
Trajneri Didier Deschamps, ka folur për trajnerët francezë, duke thënë se janë të nënvlerësuar. I pyetur për numrin e ulët të trajnerëve francezë në ligat kryesore, Deschamps deklaroi se gjuhët e huaja janë problem për timonierët e këtij vendi. “Trajnerët francezë janë të nënvlerësuar për disa arsye të ndryshme. Në Francë kemi shumë trajnerë të huaj, por kemi edhe shumë vendas të cilët janë të papunë. Kolegët e huaj që vijnë në Francë janë të shoqëruar nga një staf i madh ndërsa e kundërta ndodh me francezët. Kemi edhe një tjetër problem dhe që lidhet me gjuhët e huaja. Nuk jemi mjaftueshëm të zotë në këtë aspekt dhe ky është një defekt për këtë zanat. Në Francë një trajner të huaj e lejojnë dhe nuk e detyrojnë të flasë në frëngjisht, por kjo nuk ndodh në Spanjë, Itali apo Angli. Nëse nuk flet gjuhën e vendit ku punon atëherë as nuk të marrin në konsideratë, ky është të paktën përfundimi që kam dalë nga eksperienca ime.”, u shpreh Deschamps.



