
Sulemjan Starova, specialist futbolli, u shpreh në emisionin “Skaner” në MCN TV, se Bate Borisov, ka një avantazh shumë të madh ndaj Partizanit, siç janë ato 13 ndeshje të luajtura në kampionat. “Ky trajner jep garanci që të bëjë më mirë se trajneri që ishte më parë. Kualifikimi është shumë i rëndësishëm. Asnjëherë nuk kemi qenë komod. Në turin e parë, skuadrat vuajnë nga mungesa e ndeshjeve miqësore. Skuadra nuk arrin të marrë formën, në prag të këtij aktiviteti. Duhet të aktivizosh të gjithë lojtarët, nëse e bën, titullarët nuk marrim maksimumin e 90 minutave. Është e vështirë që në këtë kohë, të gjesh ndeshje miqësore. Çdo lojtar formacioni, duhet të ketë të paktën tre 90 minutësha. Të jesh me 13 javë kampionat, është avantazh shumë i madh, i bie që Bate Borisov të jenë në kulmin e formës. E ka treguar koha, që kemi bërë mirë edhe me të tilla skuadra.”, tha Starova. Sipas tij, Tirana ka disa disavantazhe, për shkak të ndryshimeve të shumta në ekip. Starova theksoi se rezultatet në miqësore, duhet të shkojnë paralel me objektivat momentalë të skuadrës. “Problemi te Tirana është sesa shpejt do jenë gati për të përballuar objektivin kryesor që kanë tani. Në ndeshjet miqësore, duhet të shkojë paralel rezultati me qëllimin që ka skuadra. Një humbje e tillë, mos mendo se nuk lë gjurmë për momentin. Nuk më vjen mirë për Tiranën. Njeriu e shikon nga të dyja anët, kur do vijnë në formë këta?! Po troket në derë ndeshja. Janë shumë lojtarë të afruar, të cilët kanë shumë kohë pa u parë me njëri-tjetrin. Këto futen te disavantazhet. Nuk është mirë të humbasësh.”, përfundoi Starova.



