
Ish-piloti i Formula 1, Michael Schumacher, pësoi një aksident të rëndë në ski dhe kjo e bëri të qëndrojë në koma për një kohë të gjatë.
Informacionet për shëndetin e tij, kanë qenë të pakta, ndërsa së fundmi për të ka folur, miku i tij, Jean Todt.
Ish-bosi i Ferrarit dhe FIA-s, tha se Schumacher nuk është si më parë ndërsa shtoi se 54-vjeçari është me fat pasi pranë tij qëndrojnë bashkëshortja me djalin.
“Schumacher është ende këtu mes nesh, ndaj nuk më mungon. Vetëm se nuk është më Michael që njihnim më parë, është ndryshe. Por, është me fat sepse pranë qëndron bashkëshortja dhe djali që e mbrojnë dhe përkujdesen shumë.
Jeta e tij është ndryshe tashmë dhe unë kam privilegjin që të ndaj disa momente, kjo është gjithçka mund të them. Dhjetë vite më parë pati një fat shumë të keq dhe nuk është më Schumacher që dinte gjithçka mbi Formula 1”, u shpreh Jean Todt për “L’Equipe".



