
Shorti i “Play Off” për Botërorin vendosi Italinë përballë Maqedonisë së Veriut dhe në rast kualifikimi, do të përballen me fituesin e çiftit Portugali-Turqi. Pas kësaj, ka folur edhe trajneri i Italisë, Roberto Mancini, i cili është shprehur se është një short i vështirë, duke shtuar se donte ta shmangte Portugalinë.
“Mund të shkonte më mirë. Do të jetë shumë e vështirë për ne. Maqedonia e Veriut është një skuadër e fortë, më pas do të shkojmë të luajmë finalen në Turqi ose Portugali. Do të jetë e vështirë, pasi bëhet fjalë për rivalë shumë të fortë.
Kuptohet që ne dhe Portugalia duhet t’i fitojmë gjysmëfinalet. Vështirësitë janë gjithmonë të mëdha kur bëhet fjalë për ndeshje teke.
Besimi dhe pozitiviteti nuk na mungojnë, sidomos në momentet më të vështira. Maqedonia shkëlqeu në grup. Duhet të luajmë një ndeshje të madhe ndaj tyre.
Portugalia? Siç donim ne t’i shmangnim, ndoshta edhe ata donin të na shmangnin neve. Rëndësi ka që t’i kemi të gatshëm të gjithë futbollistët në mars”, përfundoi Mancini.



