
E ardhmja e Paulo Dybalas po bëhet edhe më e qartë me kalimin e ditëve .
‘’ La Joya ‘’ refuzoi të rinovojë kontratën me Juventusin dhe që nga ai moment Interi është përfshirë seriozisht në këtë çështje sepse e njeh mjaft mirë kapacitetin e argjentinasit.
Zikaltërit fatkeqësisht nuk arritën ta mbronin titullin e Serisë A duke ia lënë stafetën rivalëve të përjetshëm dhe kjo disfatë shërbeu si leksion për drejtuesit e italianëve se në merkato duhet të afrojnë lojtarë cilësorë.
Drejtori sportiv Beppe Marotta vijon të punojë me intensitetin e duhur për zgjidhjen e kësaj çështje sa më shpejt të jetë e mundur kundrejt një ofertë prej 7 milionë eurosh për yllin argjentinas duke ia plotësuar kështu kërkesën .
Transferimi i ishi-t të Palermos në ‘’ Giusseppe Meazza ‘’ pritet prej kohësh dhe shpresohet se duke filluar nga 1 korriku , datë kur zyrtarisht do të startojë merkatoja e verës, do të arrihet ky akord.
Por prapaskenat konsiderohen të paevitueshme sepse ndoshta 28 vjeçari do të urrehet nga tifozeria e zjarrtë e ‘’ Zonjës së Vjetër ‘’ për arsye se transferohet tek rivalët direkt për Scudetton por në futboll situata të tilla janë mëse normale sepse çdo lojtar zgjedh destinacionin më të përshtatshëm për të ardhmen .
Nën drejtimin e Simone Inzaghit Interi do të pretendojë uljen e ‘’ Djallit ‘’ nga froni në sezonin vijues duke mos e anashkaluar në asnjë moment fokusin nga Uefa Champions League sepse kanë mjaft eksperiencë dhe me anë të një merkato cilësore mund të arrijnë shumë larg.



