Trajeri i Kombëtares U-19 Armando Cungu, ish-drejtues i disa skuadrave në Superligë, mendon se Vllaznia tashmë ka fituar qëndrueshmëri. Në emisionin Skaner në MCNTV Cungu thotë se skuadra shkodrane ka më pak cilësi se ekipet që luftojnë për titull në Superligë, por shton se për nga mënyra si kanë rrjedhur gjërat do ishte dështim nëse Vllaznia nuk merr një trofe.
“Mbas disa halucinacioneve Vllaznia i është kthyer stabilitetit. Vllaznia edhe sot bëri presion dhe nuk i dha mundësi Laçit të bënte protagonistin. Mendoj se e asgjësoi komplet ekipin kundërshtar në mesin e fushës.
Edhe në Laç Vllaznia luajti shumë mirë, por bëri pak në aspektin sulmues. Gjithsesi unë pretendoj diçka më tepër nga loja e Vllaznisë, e cila duhet të vazhdojë të mbajë këtë ritëm. Do ishte një nder që të arrinte titullin kampion. Kam mendu në fillim se nga 5 skuadrat e para Vllaznia ka kontigjentin më të vogël në cilësi, sepse edhe blerjet e janarit nuk kanë qenë ato të duhurit. Patizani, Tirana, Laçi dhe Teuta janë më mirë. Por duke parë se si kanë rrjedhur gjërat Vllaznia është e dënuar të marrë një kupë. Në këtë prizëm do ishte diçka e jashtëzakonshme,”-u shpreh ai.
Në fund Cungu hodhi dyshime mbi paraqitjen e Teutës sot kundër Skënderbeut, që për pasojë të humbjes u eliminua në gjysmëfinale të Kupës.
“Përsa i përket fitores së Skënderbeut askush nuk e kishte menduar. Më duket sikur Teuta e kishte neglizhuar dhe nuk e kishte marrë seriozisht. Ndoshta ndonjë skuadër ecën edhe me llogari, duke menduar më shumë për kampionatin se sa për Kupë,”-u shpreh Cungu.



