Trajneri i Dinamos Rodolfo Vanoli, doli para mediave në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë ditën e nesërme ndaj Kastriotit.
Ai u shpreh se skuadra nuk është në situatë të mirë, por për këtë akuzoi ish-trajnerët dhe drejtuesit që kanë qenë për pjesën tjetër të sezonit te Dinamo, për të cilët tha se janë ata që e sollën ekipin në këtë gjendje.
Situata nuk është e thjeshtë, por për sa kohë që unë jam përpara jush unë jam i gatshëm për të provuar për ta ndryshuar atë. Dinamo është një emër i madh dhe unë, pavarësisht se për një kohë të shkurtër, e kam përzemërt. Më vjen keq edhe për presidentin që ka investuar pa fund, por tani ka ardhur momenti që ne të marrim përgjegjësitë tona.
Nuk duhet thjesht presidenti dhe unë të jemi të përgjegjshëm, por të gjithë. Ka shumë kritika ndaj Dinamos, ka njerëz apo ish-drejtues që përpiqen të shpëtojnë fytyrën e tyre dhe dalin e flasin nëpër media, por nëse jemi këtu ku jemi, është përgjegjësi edhe e atyre njerëzve që kanë punuar për 9 muaj në këtë klub. Ka ardhur momenti që të gjithë të lëvizin të ndenjurat dhe të bëjnë maksimumin. Unë për sa kohë jam këtu besoj ende.
Në lidhje me sfidën e nesërme, Vanoli tha se skuadrës i duhet vazhdimësi, diçka që i mungon sipas tij.
Ne na nevojitet vazhdimësi. Kjo është ajo që na mungon, Luajmë mirë ndaj Tiranës, më pas gabojmë me Egnatian. Nuk është çështje skeme kjo. E njëjta skemë u përdor dhe me Tiranën, por është çështje që skuadra nuk ka vazhdimësi rezultatesh. Kastrioti ka 4 fitore 1 barazim në 5 ndeshjet e fundit. Kjo gjë ne na mungon. Nëse duam të shpëtojmë kjo është ajo për të cilën kemi nevojë.
Sofranac nuk u ndje mirë përpara ndeshjes me Egnatian, ndërsa Imami ka qenë i dëmtuar. I pari do të jetë me Kastriotin, i dyti do të vazhdojë të mungojë. Përpara se të flitet për situata të ndryshme brenda ekipit në lidhje me këta dy lojtarë, duhet njohur ambienti i klubit dhe si është gjendja brenda ekipit, jo të ngrihen akuza të paqena.



