Mbrojtësi Gleison Bremer, u prezantua ditën e sotme, në konferencë për shtyp, pasi u transferua nga Torino te Juventusi. Në fjalët e tij, Bremer tregoi pse zgjodhi të transferohet te bardhezinjtë, ndërsa kërkoi edhe mirëkuptim nga tifozët e ish-skuadrës.
25-vjeçari deklaroi se Juventusi synon të fitojë gjithmonë dhe këtë sezon duan të bëjnë ndryshe nga ai i kaluari.
Kam biseduar me menaxherin tim dhe me klube të ndryshme. Juventusi ishte skuadra që më bëri më shumë përshtypje. Skuadra që ka fituar më shumë, që ka fituar gjithmonë.
Tifozët e Torinos e morën keq. Por nëse do të kishin fëmijë që duan të synojnë diçka më të mirë, a do të thoshin jo? Mendoj se ishte një zgjedhje e mirë. Tani jam tek Juve, dua të fitoj. Të përmirësohem gjithmonë.
Ndeshja miqësore kundër Atleticos nuk ishte e mirë, por tre pikët nuk llogariteshin. Ndeshjet do të kenë rëndësi nga e hëna. Ne duam të kemi një ndeshje të mirë kundër Sassuolos. Titulli? Juventus synon të fitojë gjithmonë. Vitin e kaluar nuk isha këtu, por ne duam të ndryshojmë gjithçka.
Unë jam mes më të mirëve në Itali, duhet të provoj, shumë, tani kaloj te një skemë me 4 mbrojtës dhe skuadrat e mëdha luajnë me 4. Do të jetë e vështirë, por do ta bëj.



