
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i ftuar në emisionin “Skaner” në MCN TV, i bëri thirrje qeverisë, për hapjen e basteve sportive. Sipas Yllit, bastet nuk u mbyllën as nga Enver Hoxha, por tani duhet të hapen dhe të menaxhohen nga qeveria.
Unë nuk kam pasur asnjëherë raporte të tendosura me askënd. FSHF erdhi në nismën e KOKSH. Unë kam dy vite që e kam anonçuar. Në atë periudhë nuk isha në KOKSH, isha në parlament. Doja që ato para që i merr krimi, mund të jenë para droge, pare të pista, që shteti nuk i kontrollon. Është më mirë që t’i kontrollojë shteti dhe t’i menaxhojë mirë. Bastet sportive nuk i mbylli Enver Hoxha, që të varte për 1 milion lekë të vjetra. Nuk i mbyllim dot ne dhe asnjë qeveri tjetër. I mbylli Edi Rama për momentin dhe bëri mirë. Ato që merreshin me bastet sportive, u iku nga kontrolli.
Ylli deklaroi se hapja e basteve sportive, do të ishte një shpëtim për sportin, pasi në buxhet do të sillnin 30 milionë euro.
Kompanitë e basteve megjithëse lejoheshin, shteti merrte ca para, që nuk ia jepte sportit, por i fuste në buxhetin e vetë. Kjo ishte diçka e turpshme. Këto para nuk i erdhën kurrë sportit, ishte një abuzim i madh. Nga bastet qeveria mbush buxhetin, jo vetëm që merr sporti dhe rinia, por mbushet edhe buxheti i shtetit me këto. Njerëzit do të luajnë me këtë. Edhe në kohën e partisë së punë, në ndërmarrje, mblidheshim 20 veta, bënim një lotari. Lotaritë ishin të palejuara, por bëheshin në sytë e sekretarit të partisë. Bastet sportive t’i menaxhojë shteti dhe nga kjo, ta them me bindje që në buxhetin e sportit do të ketë 30 milionë euro. Nuk po them mënyrën si do bëhet, por sporti merr nga 30 deri në 40 milionë euro. E lexojmë barrën e shtetit nga sporti, ku gjithë kohën kërkojmë lëmoshë. Nëse ka dëshirë qeveria për diçka, gjenden edhe paratë. Nëse do qeveria, e inicion një ligj të mirë në parlament, me argumente, pse duhen hapur bastet sportive.



