
Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj, foli për mediat, në prag të derbit me Partizanin, që do të luhet ditën e premte.
Ahmataj, deklaroi se kjo është java më e thjeshtë për stafin, pasi lojtarëve nuk iu duhet motivim.
Tekniku bardheblu, zbuloi gjithashtu se mbrojtësi Najdovski, do të mungojë për shkak dëmtimi.
Është ndoshta java më e thjeshtë për stafet dhe drejtuesit, sepse motivimi shtohet çdo ditë te lojtarët. Të gjithë duan ta luajnë, të gjithë duan të japin maksimumin dhe kjo nuk të jep shumë angazhime në aspektin e karikimit, ose aspekte të tjera që janë detyra të stafit.
Mendojmë që gjithmonë dhimbjet dhe problemet janë prezentë te lojtarët, por shpresojmë që të jenë gati nesër. Kristal Abazaj mendoj se do të jetë gati nesër.
Najdovski ka marrë një dëmtim në ndeshjen me Erzenin. Ka dalë në minutën e 70’ dhe mendoj se e ka akoma atë dëmtimin. Mendoj se do të mungojë për 7-8 ditë.
Logjika e futbollit nuk përligjet asnjëherë me rezultatet, por derbi i parë ka qenë i ekuilibruar dhe e fitoi Partizani në minutat e fundit. Ndërsa derbin e dytë e kemi dominuar, kemi pasur mundësitë tona për të dyfishuar rezultatin. Pësuam një gol që nuk e meritonim. Derbit duhen fituar, duhet të jemi shumë strikt në ato që ne bëjmë.
Patrick përsëri nuk është në 100% e tij, sepse trajtimi i tij është një specifikë që ndoshta mund të na rëndojë në fundin e kampionatit. Dhe kjo është ajo dilema për ta ruajtur Patrick dhe për ta forcuar aq sa duhet.



