
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i ka dhënë një goditje të fortë sportit rus duke e përjashtuar nga Lojrat Olimpike Dimërore që do të mbahen në në Piongçang.
Pas një hetimi për përdorim të dopingut në lojërat e 2014-s, të mbajtura në Soçi të Rusisë, presidenti i Komitetit, Tomas Bah e dha njoftimin këtë të martë në Lozanë.
Bordi drejtues ka arritur në këtë vendim pasi lexoi rekomandimet e hetimit 17 mujor. Komiteti Olimpik i Rusisë është përjashtur nga Lojërat Dimërore që do të mbahen në Korenë e Jugut, por atletët rus, të cilët e provojnë se janë të pastër nga ana e dopingut, ftohen të marrin pjesë nën një flamur neutral.

Por Rusia mund të refuzojë plotësisht ofertën dhe të bojkotojnë plotësisht këto lojra, pasi edhe presidenti Vladimir Putin ka deklaruar më parë se kjo do të ishte një poshtërim për të konkurruar pa simbole kombëtare.
Pas vendimit Komitetit Olimpik, televizioni shtetëror i Rusisë tha se nuk do të transmetojnë ngjarjen e madhe sportive të vitit të ardhshëm, ndërsa kreu i ekipit të patinazhi i ka quajtur ofenduese dhe fyese sanksionet.



