
Partizani-Tirana është sfida më e rëndësishme e javës së 33- të, por edhe ndeshja më e madhe e Shqipërisë, andaj kryeqyteti sot pos festës, është nën ethet e derbit që do të luhet në “Air Albania” duke filluar nga ora 19:00.
Vendasit e Partizanit renditen në vendin e dytë të Kategorisë Superiore me 58 pikë, një pikë më pak se Teuta kryesuese. Tirana renditet në vendin e pestë me 53 pikë.
Të dy ekipet janë në garë për titullin kampion, pasi përveç sfidës përballë njëra-tjetrës, ekipet kanë edhe nga tre ndeshje të tjera për të luajtur.
Si ekip pritës, Partizani numëron 31 pike në 16 ndeshje. Tetë fitore, shtatë barazime dhe vetëm një humbje për Demat, që kanë shënuar 24 gola dhe kanë pësuar pesë.
Në krahun tjetër, Tirana si ekip udhëtues numëron 26 pikë në 16 ndeshje. Gjashtë fitore, tetë barazime dhe dy humbje për bardheblutë, të cilët kanë shënuar 17 gola dhe kanë pësuar 12.
Kryesori i takimit do të jetë, Eldorian Hamiti, gjyqtari me stemën e FIFA.



