
Në prezantimin e trajnerit Orges Shehi, ishte edhe drejtori sportiv i Partizanit, Arbër Abilaliaj.
Ky i fundit, në fjalën e tij, tha se Shehi ishte dëshira e madhe që pas largimit të Zekic, ndërsa shtoi se nuk ishte e lehtë për ta mbyllur si marrëveshje.
Jam shumë i lumtur që kemi arritur në këtë moment. Siç e dini ishte një proces po themi i vështirë dhe i gjatë, por e rëndësishme është rezultati dhe kjo është gjëja që ka rëndësi sot. Po prezantojmë një tjetër trajner kampion, një trajner të cilin e kemi dashur dhe e kemi menduar prej shumë kohësh dhe arritëm sot në këtë ditë. E thash edhe një herë jemi shumë të kënaqur sepse mendonim që ishte zgjedhja më e mirë dhe e duhur për të bërë procesin e nevojshëm të rritjes të skuadrës dhe të klubit në tërësi.
Kam qenë i qartë në fillim të procesit tranzitor që kemi pasur. Ka qenë një proces i vështirë deri diku edhe i komplikuar për mënyrën se si kanë rrjedhur gjërat. Ka qenë pikërisht një dëshirë e jona duke pasur parasysh që ideja në kokën time ka lindur goxha shpejt dhe dëshira ka qenë që post Zekiç të ishte Orgesi. Ia arritëm jo pa vështirësi, besoj se me gjithë periudhën tranzitore që është bërë rezultatet mendoj se kanë qenë pozitive duke u mbyllur edhe me një trofe. Patjetër që ka shumë punë për tu bërë dhe në vazhdim do jetë Shehi njeriu përgjegjës për projektin dhe pjesën që i përket fushës së lojës.
Në aspektin personal situatat kanë qenë goxha të vështira edhe në fushë edhe në drejtim. Nga momenti që Orgesi zgjidhi problemin me ish klubin e tij pastaj gjërat precipituan sepse ishte dëshira e përbashkët edhe e jona edhe e Orgesit për të arritur në këtë pikë.



