Vëmendja e gjithë botës së sportit, është padyshim, te kalimi i Leo Messit nga Barcelona te PSG. Në lidhje me këtë, ka folur edhe gazetari, Gerti Çarcani, i ftuar në edicionin e lajmeve në MCN TV. Çarçani u shpreh se lëvizja ndodhi shumë shpejt, duke shtuar më tej se dyshon se diçka mund të ketë ndodhur që më parë. Ai shtoi me tej se marrëdhënia mes palëve, pra Messit dhe Barcelonës ishte e destinuar për t’u mbyllur.
“Ishte diçka që ndodhi shumë shpejt në lidhje me kalimin e Messit te PSG. Kjo më lë të kuptoj se diçka kishte ndodhur më parë. Një vit më parë, Messi njoftoi se donte të largohej. Ishte një marrëdhënie që ishte destinuar të mbyllej. Lojtari ka shumë vite atje, ka dhënë dhe ka marrë shumë. Është një histori që mund të zbulohet në vitet e ardhshëm. Barcelona është një klub me borxhe të mëdha dhe të frikshme. Liga e frenoi në mënyrë të menjëhershëm për të bërë këtë rinovim. I tha stop, ti nuk mund të vazhdosh të shtosh më shumë.”
Çarçani shtoi se nga një hulumtim i bërë, tregohej se ishin vetëm dy klubet që mund ta përballonin pagën e Messit, Manchester City dhe PSG, por ishin francezët që e morën në fund.
“Nga një hulumtim i shpejtë, dy ishin klubet që mund të plotësonin standardin e pagës së Messit. Përfiton diçka më shumë se Neymar. PSG ose Manchester City, mund ta financonin pagën e lojtarit argjentinas. City nuk lëvizi dhe PSG e mori. PSG duhet të mbulojë 200 milionë euro humbje. Këtë do e bëjë nëpërmjet shitjeve. Një nga ata që mund të largohen është Icardi. Duhet të zbusin borxhin, edhe duke shitur fanella. Kështu ndodhi edhe me Juventusin, kur mori Ronaldon. Duhet të shesin, që klubi të kthehen në normalitet.”
Duke iu referuar afrimeve të shumta në skuadër, Çarçani me batutë tha se tani PSG i ka mbetur që vetëm të zbresë Zotin, për të marrë trofeun e Champions League.
“Presidentit dhe ortakëve, tani i mbetet vetëm të zbresin Zotin për të marrë Champions League, pasi të gjithë i kanë marrë në skuadër. Në letër janë një skuadër e frikshme. Nuk ke nga ta kapësh. Megjithatë futbolli ka treguar se jo gjithçka e ka zgjidhur leku. Janë disa detaje të vogla, që bëjnë diferencën. Ligue 1, përsëri mbetet e pesta nga ligat më të forta në Europë, pasi në Francë është vetëm një PSG, ndërsa kampionatet e tjera kanë skuadra shumë të forta. Champions League është shumë e vështirë për t’u fituar. “



