
Trajneri Orges Shehi, foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, pas largimit nga drejtimi i Tiranës.
Shehi deklaroi se e ka ndjekur kampionatin, ndërsa tregoi se situata e skuadrave ka qenë e njëjtë edhe në sezonin e kaluar. Gjithashtu ai tha se nuk ka pengje nga bardheblutë.
Sigurisht që e kam ndjekur kampionatin. Ishte një periudhë qetësimi. Kampionati nuk ka surpriza të mëdhaja. Edhe vjet kampionati ishte i luftuar, sidomos në dy fazat e para. Formula është e ndryshme këtë vit. Vlen të theksohet, se si Egnatia edhe Partizani, nuk e kanë mendjen te formula, por i kanë futur një marsh tjetër, ndryshe nga disa skuadra të tjera pretendente. Nuk ka diferenca të mëdha mes skuadrave.
Tirana mori një fitore që i duhej. Ishte një fitore e rëndësishme për ta. Nuk është problem se u largua Shehi, Tirana është një klub i madh, ka ndryshuar trajnerë shumë. Unë jam i lumtur me rrugëtimin që kam bërë te bardheblutë.
Nuk kam asnjë peng. Nuk jam penduar që qëndrova në verë. Arritëm një sukses në Europë. Te Tirana pas disa ndeshjeve, skuadra nuk ishte në pozicion të mirë dhe ky ishte vendimi i klubit. Nuk e mendoj gjë personale, por profesionale. Nuk kam asnjë peng te Tirana.



