
Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, njoftoi fundin e karrierës së saj në këtë sport. Kampionia olimpike e njoftoi tërheqjen gjatë një prononcimi për KTV-në.
“Unë ndoshta këtë vit kam qenë në dyshime a të largohem apo të vazhdoj, për shkak të lëndimeve. Por në momentin e fundit kam vendosur për hatër të Tonit (trajnerit) të vazhdoj, të garoj në Lojëra Olimpike. Fatkeqësisht nuk shkoi si duhet, nuk është se nuk isha në formë, por nuk ishte dita ime. Për mua kjo ka qenë gara e fundit, nuk e kam pritur që gara e fundit në karrierë do të shkojë kështu. Ishte e shkruar, krejt i kam fituar. I kam sjellë Kosovës mjaft emocione, mjaft lot, është radha e tjerëve”, ka thënë Kelmendi.
Edhe trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, tha se kjo tërheqje vjen pas suksesit. Ai shtoi se kampionja olimpike Majlinda Kelmendi ka kërkuar që në janar të tërhiqet.
“Majlinda i ka arritur të gjitha në sport, arsyeja pse kam dashur që Majlinda të garojë është pikërisht ekipi. Majlinda e ka shprehur dëshirën në janar që të përfundojë karrierën. Isha kundër, pasi nuk doja të prishja konceptin e ekipit, pesë vjet përgatitje. Po shihet rezultati”, tha Kuka.



