
Partizani është vetëm një ndeshje larg titullit kampion. Të kuqtë do të përballen me Teutën këtë të hënë, ku fitorja është detyrim për të marrë trofeun e kampionit.
Duke folur para mediave, trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, kërkoi që të mos festohet para kohe, teksa kujtoi edhe momentin kur Roma e humbi titullin në ndeshjen e fundit.
Sipas Kolelës, shanset për titull mes Partizanit dhe Tiranës, janë 50 me 50.
Është ndeshja e fundit, nuk kam çfarë them. Është mëse normale të luash një ndeshje finale ku mund të shpallesh kampion. Shanset mes nesh dhe Tiranës për t’u shpallur kampion janë 50 me 50. Për të fituar ka një kombinim me shumë faktorë. Teuta është skuadër që do të luajë në Europë dhe është e vështirë, por të gjitha janë të vështira.
Më kujtohet dikur Roma kur humbi titullin ndaj Lecces që kishte rënë nga kategoria. E humbi në ndeshjen e fundit. Kështu është futbolli. Këmbëngul të mos festojmë deri sa të mbyllet gjithçka.
Pas ditës së nesërme, do të jemi të qetë dhe projektet janë gati. Shpresoj të jem pjesë e projektit. Raportet janë të mira dhe kur them që kemi bërë program është raport përtej kontratës. Është ajo që kam thënë që bëhet fjalë për një marrëveshje xhentëlmenësh e jo kontratë pune.
Që të fitosh është një luks i madh dhe nuk e kam pasur në jetën time. Të fitosh është e vështirë dhe kur arrin diçka të tillë, nuk ka rëndësi diferenca. Sot luajmë titullin. Mendoj se pas ndeshjes ndaj Laçit nëse ju pyesja sa shanse kemi të fitojmë, do thoshit 0 shanse. Kemi arritur shumë.



