Kapiteni i Dinamo City, Rustem Hoxha, foli për mediat, në prag të derbit me Tiranën.
Mbrojtësi tha se lojtarët ndjejnë përgjegjësi të madhe për situatën ku ndodhet skuadra, ndërsa shtoi se i kanë cilësitë për të fituar ndaj çdo skuadre.
Hoxha deklaroi se Dinamo do luajë për fitore ndaj Tiranës, ndërsa shtoi se duhet kujdes i madh.
Mendoj që dhe lojtarët kanë një përgjegjësi të madhe në këtë situatë që ndodhi. Mendoj që çfarë ka kaluar duhet ta harrojmë dhe të shikojmë përpara. Të përkushtohemi sa më shumë në stërvitje dhe të dëgjojë detyrat që do të na japë profesori.
Normalisht që çunat janë pak të mërzitur, sepse situata duket që nuk është shumë e mirë. Por besimin e kanë dhe entuziazmin, besoj dhe harmonia është aty ku duhet që është shumë e rëndësishme për këtë situatë që ndodhemi.
Me Tiranën është një ndeshje shumë e vështirë sepse edhe ata janë në një moment të vështirë. Do të kërkojnë që të dalin nga kjo situatë, po ashtu edhe ne. Duhet ta marrim me qetësi dhe të jemi të vëmendshëm gjatë gjithë ndeshjes.
Unë besoj dhe mendoj që Dinamo ka shumë forcë për të marrë një rezultat pozitiv, jo vetëm ndaj Tiranës, por ndaj çdo skuadre. Jo rezultat pozitiv barazimin. Kemi mundësi dhe për fitore, por mendoj që duhet të përqendrohemi të rregullojmë problemet dhe gabimet që kemi e të shohim ndeshjen e radhës që është derbi dhe shpresojmë të kthehemi te fitorja.



