
Çështja e rinovimit të Franck Kessies është shëndërruar në prioritet për Milanin . Kuqezinjtë prej shumë javësh po tentojnë ta bindin mesfushorin nga Bregu i Fildishtë për të qëndruar në "San Siro". Kontrata e ishi-t të Atalantës me italianët përfundon në fundin e sezonit dhe stërzgjatja e kësaj teme ka ngjallur shumë dyshime te kuqezinjtë. Sipas Calciomercatos, mosarritja e këtij akordi lidhet me propozimin e Milanit ndaj agjentit të lojtarit që nuk e ka bindur këtë të fundit sepse mbetet inferior me kërkesat e palëve në fjalë.
Pavarësisht se akoma nuk ka mundur të debutojë në sezonin e ri për arsye të problemeve fizike, ishi i Atalantës është një vlerë e shtuar e mesfushës.
Rendimenti në rritje gjatë sezoneve e ka shëndërruar 24-vjeçarin në një ndër më të rëndësishmit në Calcio për sa i përket pozicionit që mbulon dhe ky fakt ka shkaktuar interesin e shumë klubeve të njohur ndër të cilët përfshihen Manchester City, Liverpool, Manchester United dhe Interi që mund të përfitojnë transferimin e talentit afrikan me parametër zero.
Megjithatë drejtuesit e Milanit asnjëherë nuk e kanë shkëputur fokusin në lidhje me rinovimin e Franck Kessies i cili ishte pjesë kyçe në kualifikimin e tyre në Champions League, eveniment që do ta shijojë pas 6 vitesh mungesë.



