
Realii mbyll derën Bale-s
Edhe pse gjatë muajve të fundit Gareth Bale ka reflektuar një rendiment të kënaqshëm në fushën e lojës Real Madridi ka konsideruar se etapa e uellsianit në mitikun ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ mund të quhet e përfunduar.
Mendohej se huazimi tek Tottenham Hotspuri do të ishte një trampolinë për 31 vjeçarin për tu rikthyer akoma më i fortë tek ‘’ Los Blancos ‘’ por më kot sepse numri një i pankinës Zinedine Zidane e ka cilësuar si të padëshiruar për sezonin vijues . Një element shumë i rëndësishëm për tu theksuar është se paga e lartë e Gareth Bale do ti krijonte një problem të madh arkave të gjigandëve spanjollë duke i reduktuar mundësinë e ndërhyrjes ashtu siç duhet në merkato .
Sipas prestigjozes ‘’ Marca ‘’ fati i yllit të Tottenham Hotspurit do ti bashkohet atyre të Marcelos dhe Iscos që me shumë mundësi do ti thonë lamtumirë ‘’ Galaktikëve ‘’ në merkaton verore . Ia vlen për tu përmendur se rendimenti i shkëlqyer i sulmuesit nga Cardiffi është një mesazh i qartë për të famshmin ‘’ Zizou ‘’ se nuk ka vepruar siç duhet në lidhje me asin e ‘’ Spursave ‘’ për të cilin mund të thuhet me bindje të plotë se është duke përjetuar një rini të dytë nën drejtimin e Jose Mourinhos .
Rendimenti brilant në fushën e lojës që për hir të së vërtetës i ka ardhur mjaftueshëm në ndihmë kryeqytetasve është shoqëruar me statistika tepër entuziazmuese sepse në 25 takime ka mundur të gjejë në 10 raste rrugën e rrjetës dhe ka kontribuar me 2 asiste për shokët e skuadrës duke treguar në një farë mënyre efikasitetin e të së kaluarës por tashmë me një eksperiencë të madhe mbi shpinë . Ky fakt nuk i lë rrugë tjetër 34 herë kampionëve të Primera Division veçse të përfitojnë nga shitja e Gareth Bale për të cilin ofertat nuk kanë munguar asnjëherë .
Prapa derës gjithmonë mbetet hija e Manchester United që e ka vënë prej disa sezonesh në fokus sulmuesin e njohur . Konkretizimi i çështjes në fjalë do të konceptohej shumë i vlefshëm për Real Madridin sepse ashtu siç dihet përfitimi ekonomik do të ishte një zgjidhje mjaft e mirë pa lënë në harresë se mund të përfshihet në operacionet për nënshkrimin me dy objektivat e momentit tek ‘’ Los Merengues ‘’ siç janë Erling Haaland dhe Kylian Mbappe.



