
Sezoni i vështirë i Atletico Madridit sigurisht do të prodhojë disa risi në kampin e ‘’ Los Colchoneros ‘’ nëse nuk do të arrihet kualifikimi për në Champions League .
E ardhmja e Diego Simeones është vënë në dyshim për arsye të ecurisë deri në këtë moment pasi spanjollët nuk e kanë të sigurtë përfshirjen ndër më të mirët e Europës dhe drejtuesit e kanë hedhur hapin e parë duke deklaruar zëvëndësuesin e mundshëm të argjentinasit.
Marcelino Garcia Toral shikohet si një opsion ideal për Atleticon dhe sipas gazetarit Eduardo Inda, gjatë një deklarate të dhënë për të famshmen vendase ‘ Chiringuito de Jugones ‘ mbetet favoriti për tu ulur në stolin e ‘’ Los Rojiblancos ‘’.
Për 56 vjeçarin ka menduar edhe kombëtarja e Spanjës por hyrja në luftë e kryeqytetasve sikur i përzien paksa ujërat dhe nëse do të arrihet akordi, pa dyshim do të jetë një ndër lëvizjet më të bujshme të verës .
Vështirësia që po haset në lidhje me kualifikimin në Champions League evidenton se gjendja tek Atletico është me të vërtetë kritike por megjithatë Diego Simeone vijon të mbetet ndër më të mirët në botë sepse e ka pozicionuar këtë skuadër në një nivel që vite më përpara as që ëndërrohej.
Mbetja jashtë nga kompeticioni më prestigjoz i Europës do të detyronte ishi-n e River Plates të negocionte rinovimin por me kushte ndryshe dhe ndoshta ky fakt mund t’ia hapë derën e largimit nga ‘’ Wanda Metropolitano ‘’ në kërkim të eksperiencave të reja dhe sigurisht duke marrë në konsideratë ecurinë ndër vite , pretendentët do të jenë të shumtë për numrin një të pankinës.
Ndërsa Marcelino Garcia Toral është një trainer me shumë eksperiencë, kryesisht në Primera Division pasi në të kaluarën ka drejtuar ekipe si Zaragoza , Valencia , Sevilla apo Villareal dhe e njeh shumë mirë Atleticon sepse e ka patur rival direkt .



