
Trajneri Mirel Josa, debutoi me fitore në stolin e Laçit, teksa mposhti me rezultatin 3-0 ndaj Tiranës.
Pas ndeshjes, Josa foli për MCN TV, ndërsa deklaroi se ndryshoi strategjinë, kryesisht në mesfushë. Më tej ai u shpreh se Tiranën nuk e priste në këtë formë.
Lojtarët ishin më të motivuar, por jo se nuk ishin të motivuar në ndeshjet e tjera. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm, pasi kjo fitore me Tiranën nuk na nxjerr atje ku duam të shkojmë ne.
Njëlloj strategjie e ndryshova, në mesfushë. Duke parë oreksin e djemve në skuadër. Janë djem të rinj, nga skuadra që lashë një vit e gjysmë më parë. Janë djem që mundohen të punojnë. Kjo fitore nuk duhet të shtojë presionin e skuadrës. Do ketë edhe momente të këqija, por këto duhet t’iu paraprijmë.
Këtu është një skuadër që luan. Sot iu dha rasti Halilit dhe u fut në lojë 100%, duke pasur parasysh që dy ditë më parë luajti me të rinjtë në Fier. Jam shumë i kënaqur, sidomos me krahët. Diferencat në kampionat janë shumë të vogla.
Tiranën e kam parë në të gjitha ndeshjet që ka luajtur. Nuk e prisja në këtë gjendje, kjo edhe për shkak se ishin pushim, nuk luajtën me Partizanin. Problemi nuk ishte se Tirana çaloi fizikisht, por ne ishim të disiplinuar në atë që donim të bënim. E prisja që të luanin me 4 mbrojtësa mbrapa.



