
Migen Memelli do të jetë trajner i Skënderbeut edhe për sezonin e ardhshëm. Ka qenë vetë tekniku pogradecar, i cili ka konfirmuar diçka të tillë, teksa në konferencë para mediave, ka thënë se presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i ka komunikuar se do të jetë në krye të skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm.
“Dua të falënderoj drejtuesit e klubit, që më dhanë mundësinë të drejtoj Skënderbeun në këto katër muaj. Pa diskutim edhe futbollistët në veçanti, pasi janë paraqitur mirë pavarësisht vuajtjeve të pësuara në këtë kampionat.
Ju falënderoj edhe ju gazetarëve, që keni qenë të duruar dhe jeni pjesë e rëndësishme për futbollin. I falënderoj edhe tifozët për mbështetjen e dhënë, kanë duruar dhe kanë qenë krah futbollistëve. Dhe e fundit, vitin tjetër do ta nisim kampionatin bashkë. Kjo vjen pas një bisede që kam pasur me presidentin. Nëse ka besim, ka edhe një linjë të përbashkët për atë që kemi bërë.
Kemi bërë një bisedë të shkurtër, detajet do të zbulohen në vazhdim. Do i bëjmë gjërat në mënyrë më të mirë të mundshme. Vitin tjetër do konkurrojmë fort, me skuadrat që i kemi ndalur, duke nisur me Partizanin, Kukësin, Teutën, Vllazninë. Do jemi rivale e denjë e kampionatit. Baza e lojtarëve është. Kush do afrohet do zbulohet në javët e ardhshme. Nuk po flasim për titull, por që do të jemi konkurrentë. Pse të mos jemi në 5-6 më të mirat e kampionatit?!”, tha Memelli.
Trajneri 41-vjeçar e mori Skënderbeun në pozita të vështira, teksa ishin me një këmbë në Kategorinë e Parë, por për shkak të rezultateve pozitive nën drejtimin e Memellit, korçarët ia dolën të sigurojnë mbijetesën dhe gjithashtu janë në finalen e Kupës së Shqipërisë.



