Kombëtarja e Kosovës luan sot për histori. Synimi është i madh: një vend në Kupën e Botës.
Sytë e të gjithë shqiptarëve janë drejt Prishtinës, ku ndeshja vendimtare ndaj Turqisë pritet të përcaktojë fatin e kualifikimit.
Kjo përballje ka tërhequr vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare, të cilat po pasqyrojnë mundësinë që Kosova të shkruajë histori.
Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, “Kosova e vogël kërkon historinë e Kupës së Botës me ndeshjen vendimtare kundër Turqisë”.
Agjencia përshkruan rrugëtimin e ekipit, nga hapat e parë deri te arritja në finalen e “play-off”-it.
Kosova ka qenë gjithashtu në fokus të mediave si The Guardian dhe BBC, ndërsa një artikull të veçantë i ka dedikuar edhe gazeta italiane Corriere dello Sport.
The Guardian shkruan se, megjithëse Kosova u bë anëtare e FIFA-s vetëm në vitin 2016, një fitore ndaj Turqisë do ta çonte për herë të parë në finalet e Kupës së Botës.
Në një intervistë për këtë media, legjenda e kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, kujton fillimet e vështira të ekipit. Ai rikthehet në marsin e vitit 2014, kur Kosova zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare ndaj Haitit me një skuadër të improvizuar.
“Mund të them se në fillim nuk i dija 50% të emrave të djemve. Ishte shumë e vështirë, por gjithmonë besonim te njëri-tjetri,” shprehet Ujkani.
Në atë kohë, kushtet ishin tepër të vështira. Skuadra stërvitej në fusha të amortizuara, ndërsa shpesh duhej të udhëtonte për orë të tëra për një seancë të vetme stërvitore.
Megjithatë, synimi kryesor ishte njohja ndërkombëtare.
Kosova kishte shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe pranimi në UEFA dhe FIFA ishte një hap vendimtar për afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare.
Ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, kujton emocionet e momentit kur u sigurua mbështetja për pranimin në UEFA.
“Fadil Vokrri më tha: ‘Po ndodh’. Dhe filloi të qante. Pastaj fillova edhe unë,” tregon ai.
Fadil Vokrri, një nga figurat më të rëndësishme të futbollit kosovar, ndërroi jetë në vitin 2018, por trashëgimia e tij vijon të jetojë përmes këtij brezi futbollistësh.
Sot, Kosova është vetëm një hap larg realizimit të një ëndrre që dikur dukej e pamundur.
Ndeshja ndaj Turqisë nuk është vetëm një sfidë sportive, por edhe një simbol i rrugëtimit të gjatë të një shteti dhe një kombi drejt afirmimit ndërkombëtar.



