
Largimi i Assane Diaos nga Real Betisi tek Como menjëherë i ka dhënë rezultatet.
Sulmuesi ka fituar protagonizëm tek italianët, për të cilin është interesuar Chelsea.
Presidenti Todd Boehly ka bërë gati çekun prej 50 milionë eurosh për senegalezin, i cili ka treguar se mund të adaptohet shumë shpejt në çdo ekip.
Interesi i ‘’ Bluve të Londrës ‘’ përbën një avantazh për çdo lojtar, si në aspektin ekonomik edhe në atë sportiv dhe besohet se afrikani do ta analizojë me shumë kujdes këtë fakt.

Assane Diao është një lojtar shumë i aftë në driblime dhe tepër i shpejtë, dy komponente të cilët ia lartësojnë natyrisht figurën dhe vënë në siklet çdo rival.
Të pretendohesh nga një ekip elite në Angli dhe më gjerë me vetëm 19 vite mbi supe është një hap shumë i suksesshëm dhe tashmë i mbetet në dorë të vendosë për të ardhmen e tij.
Ndërkohë, drejtuesit e andaluzëve janë penduar për largimin e tij nga ‘’ Benito Villamarin ‘’, të cilit i kanë trokitur në derë kryeqytetasit, ekip pretendent për të fituar tituj në çdo sezon.
2 gola dhe 3 asiste në 13 sfida numëron nxënësi i Cesc Fabregas, prezenca e të cilit ka qenë shumë e rëndësishme për arritjen e objektivave nga Como në sezonin aktual.



