
Trajneri portugez, Jose Mourinho është shprehur se Anglia e meritoi fitoren ndaj Danimarkës dhe kualifikimin për në finale, por shton më tej se ajo e Sterling nuk ishte penallti.
“Nuk ishte penallti, nuk ka asnjë penallti aty. Anglia është një fituese e denjë, ishte skuadra më e mirë në fushë, e merituan kualifikimin, ishte e shkëlqyer në çdo drejtim, por penalltia nuk ishte. Unë nuk e kuptoj pse arbitrat janë në këtë nivel, sidomos në një gjysmëfinale të Europianit. VAR nuk e thirri arbitrin që të shikonte rastin”, u shpreh Mourinho.
Penalltia në minutën e 104 për Anglinë e fituar nga Sterling ka krijuar polemika të shumta, për dy arsye. E para sepse ndërhyrja ndaj sulmuesit anglez nuk konsiderohej aq e fortë sa për t’u akorduar penallti, ndërsa e dyta pasi gjatë aksionit ku u fitua penalltia, në fushë ishin dy topa.



