Tifozët e futbollit kanë reaguar ashpër ndaj çmimeve të reja të biletave për Kupën e Botës 2026, pasi bileta më e lirë për finalen arrin në 3,119 £, shtatë herë më shumë se në Katar.
Sipas BBC, Football Supporters Europe (FSE) e quajti politikën e Fifas “një tradhti monumentale”, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të shitjes së biletave.
Sipas dokumenteve të përhapura të enjten, çmimet për tifozët janë rritur në të gjitha kategoritë: 4,162 £ për kategorinë standarde dhe deri në 6,615 £ për premium. Edhe ndeshjet e fazës së grupeve po çmohen sipas “atraktivitetit”, një praktikë e paparë më parë në Kupën e Botës.
Tifozët britanikë thonë se çmimet i detyrojnë të heqin dorë nga ndjekja e fazave me eliminim, ndërsa FSE kritikon faktin që biletat më të lira i janë lënë tregut të përgjithshëm me çmime dinamike, raporton BBC.
Sipas llogaritjeve të reja, kostoja minimale për të ndjekur një ekip deri në finale shkon nga 5,195 £ deri në 12,268 £, shumë më tepër se në turneun e vitit 2022.
FSE kërkon që Fifa të hapë konsultime të reja dhe të rishikojë çmimet, duke akuzuar organin ndërkombëtar për “mungesë transparence” dhe largim nga premtimet e bëra në ofertën e vitit 2018.



