
Dihet se Luka Modriçit nuk i mbeten edhe shumë vite në futbollin e luajtur dhe merkatoja e verës do të jetë një periudhë e rëndësishme për drejtuesit e Real Madridit për ti gjetur një zëvëndësues.
Kroati ka lënë gjurmë duke fituar gjithçka me ‘’ Galaktikët ‘’, kapaciteti i të cilit i ka dhënë shumë avantazhe repartit të mesfushës.
Por çdo fillim e ka edhe një fund dhe tanimë me 39 vite mbi supe mendohet se ai i kroatit po vjen. Menjëherë spanjollët kanë filluar kërkimin për një lojtar cilësor dhe janë ndalur në Bundesligë, aty ku talentët janë të shumtë.
Ai i Stuttgartit Angelo Stiller konsiderohet një ndër më të mirët e këtij kampionati, i cili spikat për kontrollin perfekt të topit, inteligjencën në aspektin taktik dhe vizionin për lojën.
Gjermani është një referent në 11-shen e teknikut Sebastian Hoeneb dhe ‘’ Los Blancos ‘’ e shikojnë një alternativë për të ardhmen e afërt.
Ecuria e ishi-t të Hoffenheim po ndiqet me kujdes nga ekspertët e klubit kryeqytetas dhe nëse do të vijojë me këtë ritëm, ndoshta shumë shpejt do të bëjë gati valixhet për tu transferuar në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’.
Potencialin Angelo Stiller e ka kanalizuar me 2 gola dhe 3 asiste në 25 sfidat e sezonit aktual, sigurisht të shoqëruara me një lojë bindëse, e cila ka patur një rritje progresive.



