
Shqipëria zhvilloi një ndeshje dinjitoze, me momente ku e vuri Anglinë në vështirësi, por në fund cilësia dhe përvoja e “Tre Luanëve” bënë diferencën.
Kuqezinjtë u mundën 0-2, një rezultat që nuk e pasqyron plotësisht luftën dhe karakterin e treguar në fushë.
Gazetari sportiv Jurgen Zela, në analizën e tij për programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, vlerëson se Shqipëria bëri një paraqitje të mirë, por i mungoi fati para portës.
Bëmë një paraqitje të mirë dhe do të donim të kishim marrë një rezultat shumë të mirë.
Nuk duhet të harrojmë se kë kishim përballë, pavarësisht mënyrës si u paraqit ekipi ynë. Deri në minutën e 70-të ishim në ekuilibër, por më pas, nga krahu tjetër, Anglia tregoi klasën e saj, është superfuqi e futbollit botëror.Rasti i Arbër Hoxhës ishte i veçuar dhe ishte e dhimbshme që nuk u shndërrua në gol.
Anglia nuk mund të jetë toleruese ose neglizhuese, sepse të gjithë lojtarët e saj luajnë në nivele shumë të larta.
Nuk është si Shqipëria që ka rreth 60 lojtarë nga të cilët duhet zgjedhur. Tek Anglia, gjysma e atyre që luftojnë për një vend do të shkojnë në Kampionatin Botëror, ndaj secili kërkon të tregojë veten.Anglezët e mbyllën grupin me 24 pikë, pa humbur asnjë ndeshje.
Një episod mund t’i ndryshojë gjërat, por çdo ndeshje është e ndryshme. Edhe fati është pjesë e lojës.
Sipas Zelës, Shqipëria ka bërë progres, por duhet mentalitet superioriteti.
Ka disa vite që ekipi ynë ka bërë paraqitje të mira. Por nuk dimë të jemi superiorë ndaj skuadrave që janë në letër më të dobëta. Ndërkohë kemi ditur të japim maksimumin ndaj ekipeve të mëdha.
Objektivat duhen parë me realizëm. Duhet të jemi të lumtur që kemi arritur deri këtu.
Nuk mund të pretendonim të dilnim mbi Anglinë, ky është realiteti.



