
Sfida midis Alaves dhe Athletic Bilbaos do të jetë hapësja e javës së 6-të të La Ligas, e parashikuar të zhvillohet të premten në 21.00. Zotët e shtëpisë do të kërkojnë ta hedhin pas disfatën në transfertën e Rayo Vallecanos, ndërsa ‘’ Los Rojiblancos ‘’ vinë në këtë sfidë pas fitores së pastër në ‘’ San Mames ‘’ me shifrat 3-0. Në javët e para Deportivo Alaves ka rezultuar një rival shumë i fortë në shtëpi , i cili i ka fituar të dyja ndeshjet , situatë pothuajse e njëjtë me ‘’ Los Rojiblancos ‘’ , të cilët nuk kanë humbur asnjë ndeshje në transfertë. E shtuna si gjithmonë do të jetë më intensive , gjatë të cilës do të zhvillohen katër sfida. Hapësja do të jetë në orën 14.00, ndërmjet Gironas dhe Mallorcas. Pritësit kanë zhvilluar një performancë për tu duartrokitur deri më tani , të cilët numërojnë katër fitore dhe një barazim në pesë ndeshjet e luajtura, ndërsa Mallorca vjen pas fitores në transfertën e vështirë të ‘’ Balaidos ‘’ dhe do të tentojë ti surprizojë ‘’ Los Rojiblancos ‘’. Momentalisht Girona renditet në vendin e 3-të kurse ishullorët janë të 15-tët pas pesë sfidave të zhvilluara. Në 16.15 zbresin në ‘’ El Sadar ‘’ Osasuna dhe Sevilla. Skuadra nga Pamplona do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin fushë për të marrë një rezultat pozitiv, e cila vjen pas humbjes në transfertën e Getafes , ndërsa andaluzët bënë detyrën të dielën duke mundur në ‘’ Sanchez Pizjuan ‘’ Las Palmas. Duhet theksuar se Sevilla nuk e ka filluar siç duhet La Ligan pasi pas katër sfidash ka grumbulluar vetëm tre pikë dhe renditet e 17-ta momentalisht , ndërsa Osasuna e 12-ta me 6 pikë. Pas tyre në 18.30 do të zhvillohet Barcelona Celta Vigo. Katalanasit e nisën siç pritej edhe Champions Leaguen, të cilët bënë detyrën duke mundur modestët e Royal Antwerp me rezultatin tenistik 5-0. Kjo fitore sigurisht ia ka ngritur moralin të besuarve të Xavi Hernandezit që presin një skuadër disi të sikletshme, e cila u mposht në ‘’ Bailaidos ‘’ nga Mallorca. E shtuna do të mbyllet me Almeria Valencia në 21.00. Në ‘’ Power Horse ‘’ nxënësit e Vicente Morenos do të kërkojnë ta ngrejnë kokën pasi janë të fundit në renditje, ndërsa bardhezinjtë e Ruben Barajas kanë fituar ndjeshëm terren në krahasim me performancat e mëparshme, të cilët renditen të pestët në tabelë. Në sfidën e kaluar Almeria u mposht nga Villareali në ‘’ La Ceramica ‘’ , ndërsa Valencia po rikonfirmon me kalimin e çdo jave se i ka lënë pas disfatat e të shkuarës , skuadër e cila mundi në ‘’ Mestalla ‘’ me meritë Atletico Madridin. Të dielën do të zhvillohen pesë sfida. Hapësja është ajo midis Real Sociedadit dhe Getafes në 14.00. Në ‘’ Reale Arena ‘’ bardheblutë do të kërkojnë medoemos tre pikët pas humbjes në javën e kaluar kundër Real Madridit në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’. Skuadra nga San Sebastian është pjesëmarrëse edhe në Champions League dhe gjithmonë është karakterizuar si një rival shumë i sikletshëm , sidomos në shtëpi, ndërsa madrilenët vinë pas fitores në ‘’ Coliseum Alfonso Perez ‘’ kundër Osasunës . Në 16.15 zbresin në fushë Rayo Vallecano dhe Villareal. Në ‘’ Las Vallecas ‘’, nxënësit e Franciscos do të kërkojnë të vijojnë me serinë e fitoreve pas asaj ndaj Alaves në shtëpi por parashikohet një sfidë e ndërlikuar sepse Villareal shquhet si një rival që mund të surprizojë në çdo moment, i cili vjen pas fitores ndaj Almerias në ‘’ La Ceramica ‘’. Një tjetër shumë interesante do të jetë edhe ajo e ‘’ Benito Villamarin ‘’ ndërmjet Real Betisit dhe Cadiz në 18.30 . Andaluzët do të performojnë edhe në Europa League gjatë këtij sezoni dhe vinë në këtë ndeshje pas humbjes së thellë në ‘’ Camp Nou ‘’ kundër Barcelonës. E njëjta gjë vlen edhe për Cadiz , skuadër që u mposht në ‘’ San Mames ‘’ 3-0 kundër Athletic Bilbaos. Njëkohësisht do të zhvillohet edhe sfida ndërmjet Las Palmas dhe Granadas. Las Palmas e ka të detyrueshme fitoren pasi vjen pas tre humbjesh dhe renditet e parafundit, ndërsa ‘’ Los Granadinos ‘’ u surprizuan në shtëpi nga Girona dhe renditen një vend më lart se rivalët. E diela dhe java e 6-të do të mbyllet me supersfidën, njëkohësisht edhe derbin kryeqytetas Atletico Madrid kundër Real Madridit. ‘’ Galaktikët ‘’ kanë treguar dominimin në pesë ndeshjet e para , duke arritur po aq fitore dhe kryesojnë të qetë me dy pikë larg Barcelonës. Skuadra e Carlo Ancelottit e tregoi forcën në sfidën e të dielës në ‘’ Santiago Bernabeu ‘’ kundër Real Sociedadit , duke e përmbysur disavantazhin në pjesën e dytë, ndërsa ‘’ Los Colchoneros ‘’ u mposhtën në ‘’ Mestalla ‘’ nga Valencia me rezultarin 3-0.



