
Në sfidën mes Kukësit dhe Partizanit u regjistruar një episod aspak i këndshëm, teksa lojtari i të kuqve, Tedi Cara, u godit me një shishe uji me akull nga një prej tifozëve vendas, çka i solli 3 çarje në fytyrë.
Në lidhje me këtë, ka ardhur edhe reagimi i Policisë së Kukësit, që nëpërmjet një njoftimi, bën të ditur se tifozi është identifikuar dhe është shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv", shtetasin A. E., 47 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë ndeshjes së futbollit “Kukësi-Partizani”, të zhvilluar më datë 19.09.2022, në stadiumin “Kukës Arena”, ka hedhur një send të fortë (shishe me ujë të ngrirë) në fushë që ka goditur njërin nga futbollistët, shtetasin T. C. Vijon puna për kapjen e tij.



