Tifozët e Partizanit gjithmonë e kanë dashur e madje nuk kanë ngurruar të rreshtohen publikisht përkrah tij në momentin e ndarjes me klubin e kuq, me Nderim Nexhipin që nuk e ka fshehur se ruan të njëjtat ndjenja për ta, por këtë të shtunë detyra e profesionistit do ta vërë kundër skuadrës që i dha më shumë në Kategorinë Superiore.
Nderim Nexhipi kundër Partizanit është gjithmonë një detaj që nuk mund të kalojë në indiferencë edhe pse ka ndodhur më parë edhe me Flamurtarin. Tani do të jetë sërish kundër të kuqve, me detyrën për ti penguar në misionin për të cilin dikur luftonte, kthimin te titulli kampion. Korabi i tij ka nevojë për oksigjen, ka patur kalendarin ndoshta më të vështirë këto javë, pasi është përballur me Tiranën dhe Kukësin duke i bërë të vuajnë edhe pse ka humbur dhe tani i duhet të kërkojë pikët e mbijetesës përballë Partizanit.
Një tjetër provë për tu kaluar për Nexhipin, që gjen përballë në një moment të mirë Partizanin, por dhe njeriun që e largoi nga kjo skuadër, Sulejman Starovën. Tekniku 60-vjecar edhe pse u kontestua fillimisht nga një pjesë e tifozerisë, duket se ka gjetur me të lidhjen e dikurshme falë rezultateve dhe lëvizjeve që kanë rezultuar të goditura duke sjellë një tjetër atmosferë te Partizani, sfidën e radhës Nexhipi e ka edhe kundër tij, një tjetër rast për ti treguar se sa vlen, këtë herë nga krahu i kundërt.



