
Histori të futbollit amerikanojugor. Ndeshja e parafundit e Kupës së Amerikës,në këtë kuptim është shumë e pasur. Argjentinë-Kili, finalja e luajtur për vendin e tretë dhe të katërt, në fakt ka qenë një ndeshje me emocione dhe e tendosur njëkohësisht: përplasja mes Messit dhe Medel, të përjashtuar me karton të kuq të dy, ajo mes Vidal dhe Dybala, të dy e gjetën rrugën e rrjetës. Dhe pikërisht Dybala dhe Vidal kanë qenë protagonistë të një episodi kurioz, pak para ekzekutimit të 11 metërshit të realizuar nga mefushori kilian që i dha skuadrës së vet iluzionin se mund të barazonte. Në fakt, në momentin që Vidal po bëhej gati të godiste, Dybala i ka bërtitur fort pas kurrizit fjalën “Quiricocho”, për t'i tërhequr vëmendjen. Ose më mirë, për t'i ndjellë ters (sidoqoftë pa mundur dot). Por, përse pikërisht këtë fjalë? Çfare do të thotë?
Kush është Quiricocho
Pas shprehjes "Quiricocho” ka një histori të gjatë. Një histori që zë fill nga skuadra e Estudiantes së viteve ’60. Legjenda thotë se "Quiricocho” ishte një tifoz i ri i Estudiantes: por mesa duket, djaloshi i shkretë nuk i sillte fat skuadrës së vet, të cilën e ndiqte gjithmonë pas. Përkundrazi. Kështu, i lodhur nga të qenit një “Myk”-term që në Argjentinë e përdorin për dikë që sjell ters - vendosi që këtë “dhunti” ta përdorë për t'i ardhur në ndihmë skuadrës e falë edhe miqësisë me një nga funksionarët e klubit, shkonte në fushë përpara ndeshjes dhe prekte lehtë me pëllëmbën e dorës të gjithë lojtarët kundërshtarë në shpatull.
Dhe çudia ndodhi, pasi atë vit Estudiantes humbi në stadiumin e vet, vetëm një ndeshje: atë ndaj Boca Juniors: klubi i vetëm që nuk lejonte, për arsye sigurie, asnjë person ti afrohej lojtarëve të vet..Atë vit Estudiantes madje, fitoi edhe Kampionatin Meropolitan: e nisi kështu miti i "Quiricocho” dhe që nga ai moment, ky emër thirret kur kundërshtarët janë te pika e bardhë e penalltisë. Madje në Argjentinë, betohen se nëse thirret ky emër, është më kollaj që topi të përfundojë jashtë ose të pritet nga portieri….Por Dybala nuk ia doli. Edhe pse në fund Argjentina fitoi ndeshjen: ka mundësi që "Quiricocho” të ketë hedhur kthetrat edhe këtu?



