
Rio Ferdinand në fushat e blerta, shpesh ishte një problem i madh për sulmuesit kundërshtarë, pasi ishte e vështirë të kalohej në mbrojte. Pavarësisht se në fushat e blerta ka treguar paraqitje të shkëlqyera, jeta e ish-mbrojtësit anglez nuk ka qenë edhe shumë e lehtë. Në një intervistë të dhënë, Ferdinad zbulon se te West Ham ishte si një i çmendur, pasi e kalonte jetën mes futbollit, alkoolit dhe diskove.
“Kur isha i ri isha i çmendur, mund të kaloja gjithë ditën duke pirë. Në West Ham kishte një kulturë për alkoolin. Unë gjithmonë pija pas ndeshjeve. Në atë kohë humbja kujtesën, madje kur njerëzit më pyesnin për rezultatet e ndeshjeve, nuk më kujtoheshin. Kam jetuar mes futbollit, alkoolit dhe diskove.”, tha fillimisht ish-futbollisti.
Në vitin 2015, Ferdinad mori një goditje të rëndë. Gruaja e tij, Rebecca 34 vjeç, ndërroi jetë, pak javë pasi ishte diagnostikuar me kancer. Anglezi mbeti vetëm me 3 fëmijët e tij dhe menjëherë la futbollin.
“Askush nuk është i përgatitur për t’u përballur me një humbje të tillë. Para se të largohej nga jeta, ish-gruaja më kërkoi të isha baba dhe nënë e mrekullueshme për fëmijët tanë. Unë kurrë nuk kam menduar se do të ndodhte, por dhjetë javë pas diagnozës së saj e humbi betejën me sëmundjen e rëndë.
Në fillim pija shumë, sidomos natën, pasi i vija fëmijët në shtrat, në gjumë. Kjo ndodhi derisa një ditë u ngrita dhe nuk isha në gjendje as t’i çoja fëmijët në shkollë. Gjithashtu bëra aksident me makinë dhe kuptova se nuk mund të vazhdoja kështu. Kisha atake paniku”, u shpreh Ferdinand.



