
Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, foli për mediat pas barazimit që skuadra e tij regjistroi ndaj Skënderbeut, në stadiumin “Elbasan Arena”. Tekniku i të kuqve, u shpreh se skuadra ishte e rënduar psikologjikisht pas eliminimit nga Kupa, teksa shtoi se ndikoi edhe lodhja.
Më tej Mehmeti deklaroi se lojtarët duhet të reflektojnë, pasi shkalla e vështirësisë do të rritet në vijim.
Përtej faktit që skuadra ishte e rënduar psikologjikisht pas eliminimit, ka qenë e rënduar edhe nga lodhja. Duhej të kërkonim më shumë gjerësi, që të furnizonim lojtarët me krosime, patëm dy mundësi. Në këto situata duhet më shumë qetësi se i kishim rastet, duhej të realizonim në mënyrën e duhur, u mundova të bëj maksimumin por përgjegjësia është te unë se ngarkesa psikologjike dhe fizike duhej menaxhuar më mirë.
Nuk mund të bëja ndryshe se janë lojtarë që interpretojnë lojën dhe duhej të ishin më të qetë. Ngarkesa fizike solli mosfreski në menaxhimin e ndeshjes, mendova që të kishin shpejtësi, por futbolli është i paparashikueshëm, këto janë alternativat dhe u mundova të bëj maksimumin
Lojtarët duhet të reflektojnë dhe të bëjnë më të mirën, sepse sa vjen dhe shkalla e vështirësisë rritet.



