Trajneri i Partizanit, Orges Shehi, foli për mediat, në prag të sfidës, që skuadra e tij do të luajë në kampionat me Kukësin.
Tekniku i të kuqve, deklaroi se duhet vlerësim maksimal për këtë takim, duke kujtuar se ishin verilindorët që e eliminuan Partizanin nga Kupa.
Nuk mendoj që në kampionat ka favorizime, mund të përballeshim me skuadra që janë lart në renditje, por skuadrat që duken të lehta në letër mund të jenë të vështira në fushë, kështu që kërkojnë vlerësim, pasi për 4 ditë mbyllet kampionati dhe të kërkojmë maksimumin.
Nuk e shoh Kukësin nga renditja, ka elementë dhe ka vlerësimin tonë maksimal nesër pasi na kanë eliminuar nga Kupa. E kemi vlerësuar dhe në fund fare Kukësi vlen 3 pikë, llogaritë bëhen në fund dhe të jemi të përqendruar për të dhënë maksimumin tonë.
Është një skuadër që është në finalen e Kupës, nuk duhet ta ulim dozën e karikimit se ndryshe do të kemi shumë problem. Nuk duhet të fokusohemi se çfarë do të na rezervojë shorti i “Final 4″, duke qenë se luhen çdo 3 ditë mund të ketë ndryshime të vogla.



