
Prezenca e David Rayas tek Arsenali e ka lënë dukshëm në prapavijë portierin Aaron Ramsdale.
Anglezi nuk ka mundur ta fitojë garën me spanjollin poshtë tre shtyllave dhe flitet se gjatë merkatos së verës mund të ndryshojë destinacion.
Chelsea dhe Newcastle do të zhvillojnë një supersfidë për 26 vjeçarin, ekipe me një potencial të madh në aspektin ekonomik.
Si ‘’ Blutë e Londrës ‘’ ashtu edhe bardhezinjtë kërkojnë blerjen e një portieri që ofron garanci për të ardhmen dhe Aaron Ramsdale i plotëson kërkesat.

Humbja e vendit titullar mund t’ia hapë rrugën e largimit nga ‘’ Emirates ‘’, ndoshta tek një rival direkt i kryeqytetasve në Premier League.
Për ishi-n e Sheffield United mund të perceptohet si një mundësi për të rikuperuar terrenin e humbur dhe të ketë privilegjin e të qënit titullar, sidomos tek një ekip që pretendon për fitimin e titujve të rëndësishëm në vijimësi.
Një kalim në ‘’ Stamford Bridge ‘’ apo në ‘’ St James Park ‘’ mund të rezultojë zgjidhja e duhur jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe në atë sportiv por mbetet për tu parë se drejtuesit e cilës skuadër do të jenë më bindës gjatë negociatave.



