
Partizani është fituesi i supersfidës së javës së katërt në Kategorinë Superiore. "Demat" mposhtën Flamurtarin 2-0, në javën e 5-të të kampionatit duke treguar edhe njëherë formën pozitive që po kalon.
Emmanuel Mensah dhe Bruno Telushi, me nga një gol për çdo pjesë i dhanë suksesin “Demave” që e administruan mirë ndeshjen. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për kuqezinjtë, dhe për më tepër ndaj një ekipi pretendent. Në krahun tjetër, të kuqtë shkojnë me moralin më të lartë në derbi kundër Tiranës.
Dyzet e pesë minutat e para u mbyllën me avantazhin e Partizanit pas golit të shënuar nga Emmanuel Mensah. Ndeshja nisi me të kuqtë në sulm që i afrohen golit pas tre minutash lojë me Asani që provoi pas një aksioni të shpejtë, por gjuajtja nuk ka saktësinë e duhur. Vendasit luajnë më mirë në këto minuta dhe i afrohen sërish golit dhe përsëri është Asani, por Koliçi pret pa vështirësi. Gjithsesi Partizani kaloi në avantazh në aksionin e radhës. Bardhi jep një top të shkëlqyer, i cili me një një parabolë e dërgoi topin në rrjetë (21’). Në këto minuta Flamurtari vuan shumë, ndërsa vendasit kontrollojnë lojën dhe kërkojnë të shfrytëzojnë momentin për të shënuar golin e qetësië. Gjithsesi ky fraksion u mbyll në favor të 15 herë kampionëve të vendit.
Edhe pjesa e dytë nisi me të kuqtë në sulm që i afrohen golit brenda 4’ minutash dy herë. Fillimisht ishte Mensah dhe më pas Hila, i cili provoi nga distanca. Flamurtari regjistroi rastin e parë të rrezikshëm me Avles, por sfera shkon ngjitur me shtyllën (54’). Në këto minuta trajnerët bëjnë disa ndryshime në formacion, por rezultati vazhdon të jetë po ai. Kuqezinjtë vuajnë shumë dhe më tepër provojnë nëpërmjet goditjeve standardeve. Mesfushori Batha kërkon të ndëshkoj ish-skuadrën e tij me një gjuajtje fluturimthi, por Alban Hoxha e mbyll saktë (83). Në fund të kuqtë fituan një goditje dënimi, të cilën e mori përsipër si zakonisht Bruno Telushi dhe vlonjati nuk zhgënjeu duke mposhtur portierin Koliçi. Festa është e gjitha për “Demat” që ngjiten në kuotën e 10 pikëve.



