Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës që do të luhet të martën, ndaj Ishujve Faroe, e vlefshme për kualifikueset e Europianit. Sylvinho vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, ndërsa shtoi se në ekip nuk ka vend për eufori, duke shtuar se janë edhe 6 finale përpara. "Fusha me bar sintetik mund të ketë vështirësitë e veta, por është e njëjtë për të dyja skuadrat dhe mesa kemi parë është në gjendje të mirë. Ne do të kemi një seancë stërvitore sot për t’u përshtatur për ndeshjen nesër, që unë e shoh si një ndeshje të vështirë. E kemi thënë prej disa ditësh që nuk ka ndeshje të lehta dhe ne po përgatitemi sa më mirë. Sa i përket formacionit, kemi një seancë të fundit sot dhe do të shohim gjendjen e lojtarëve dhe më pas do të vendosim. Kemi kohë deri nesër në mëngjes për të fiksuar 11-shen titullare. Sa i përket situatës, nuk ka eufori. E kemi theksuar dhe ritheksuar që kemi 6 finale përpara. Pres që lojtarët të vrapojnë me 100km/h që ne të arrijmë objektivin, pasi kjo është mënyra e vetme. Ndeshja me Ishujt Faroe është diçka krejt ndryshe nga ajo me Moldavinë. Është një ndeshje shumë e vështirë. Mendoj që euforia nuk ka vend në skuadër sepse ndeshja me Moldavinë ka mbaruar për ne. Morëm 3 pikët, një ndeshje shumë e vështirë, por tashmë e kemi mbyllur atë kapitull. Kemi përpara gjashtë ndeshje të vështira, 6 finale. Nesër ndaj Ishujve Faroe kemi një ndeshje të fortë. Luajmë ndaj një rivali që mund të përshtatet gjatë gjithë kohës në fushë me skema të ndryshme. Është një lojë tepër fizike, lojtarët e Ishujve Faroe janë shumë të rrezikshëm sidomos në lojën në ajër dhe në goditje standarde.", deklaroi Sylvinho.



