Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima, në emisionin “SportZone” në MCN TV, e konsideroi si të suksesshëm vitin 2021 për sportin në Shqipëri. Ai shtoi, se gjëra më të mira do të ketë në vitin e ardhshëm. Shima deklaroi se në 2022, do të ketë një lëvizje masive për sportin shqiptar.
“Si rrallë herë para lojërave ka pasur një organizim modern. Nuk duhet të krenohemi, sepse janë gjëra shumë pak për ata sportistë. Mund të them se ka qenë një vit i suksesshëm. KOKSH, ka pasur një ndryshim rrënjësor. Ka diçka që është më ndryshe. Ky është vetëm fillimi. Gjëra më të mira dhe më të bukur do të vijnë vitin e ardhshëm.
Ne po punojmë për të spikatur sportistët për Lojërat Olimpik, pa harruar edhe sportistët që do të jenë pjesë e finaleve. Kemi sportistë kryesorë, si ata të peshëngritjes. Ka nisur një cikël i ri, sepse Lojërat Olimpike ndahen në cikle. Do jetë më ndryshe, pasi do të jemi më të afërt me Federatat që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike. Nëse çdo gjë shkon mirë, shpresoj të hymë në zonën e medaljes. Kur punojmë bashkë, arrihet aty ku duhet.
Kemi nisur një diskutim, që do të ketë një trajtim ndryshe i sportistëve për Lojërat e Parisit. Ka nisur një periudhë, ku duhet të japim maksimumin. Ne do të jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë. Do ketë një lëvizje masive në sportin shqiptar.
Kemi shumë ide në kokë, të cilat nga janari mund të realizohet. Do kemi një plan-projekt për sponsoret. Do të ketë shumë ndryshime. Me vullnetin e mirë dhe pozitiv, do të dalin edhe rezultatet në fund të fundit.”, u shpreh Shima.



