Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli ka folur para mediave, në prag të ndeshjes që skuadra e tij do të luajë nesër me Dinamon. Tekniku i korçarëve u shpreh se skuadra e tij do të futet në fushë për të marrë fitoren, ashtu siç ka bërë në të gjithë ndeshjet.
Ai shtoi se duke parë ndeshjet e bëra, Skënderbeu mund të kishte më shumë pikë, por theksoi se tani dëshiron që ta mbyllë me sukses këtë vit.
“Duhet të kishim pasur pikë më shumë, duke parë paraqitjet që kemi bërë. Skuadra ka nxjerrë mësime nga ndeshjet e fundit. Mua më kënaq performanca dhe vazhdimësia e skuadrës në lojë. Të marrim më të mirën dhe të shkojmë të qetë në pushime.
Jemi përballur me çdo kundërshtar, në çdo terren dhe fushë si të barabartë. Nesër do të futemi në fushë vetëm për 3 pikët, pavarësisht rrethanave. Kemi dy mungesa të rëndësishme. Të shikojmë nëse do të na rikuperohet Sadriu. Sistemi i lojës do të jetë i njëjtë. Duam që këtë hap të fundit ta bëjmë të sigurt. “, u shpreh Memelli.



