
Kohët e fundit e ardhmja e Luis Suarez është përfolur shumë . Në skenë është shfaqur Major League Soccer , kampionat që ka fituar shumë rëndësi sidomos në 10 vjeçarin e fundit për arsye të transferimeve të bujshme të lojtarëve që lanë shenjë në të kaluarën në djepin e futbollit.
Uruguajani e përfundon kontratën me Atletico Madridin në 30 qershor dhe akoma nuk ka marrë ofertën për ta rinovuar , arsye e cila e shtyn të kërkojë një tjetër destinacion për vitet e mbetura në futboll.
Sipas ‘ Cadena Ser ‘ , ‘’ El Pistolero ‘’ ka marrë oferta nga Brazili , Argjentina dhe Meksika por ideja e tij është vijimi në Europë sepse është zgjedhja më e mirë për të arritur në nivelin optimal në Botërorin e Katarit me kombëtaren ‘’ Charrua ‘’ , një rival shumë i fortë dhe që respektohet maksimalisht nga çdo kundërshtar.
Nëse i referohemi kontinentit të vjetër, duhet theksuar se momentalisht predominon Premier League , me Aston Villan si protagoniste pasi Steven Gerrard e njeh shumë mirë për arsye të së kaluarës tek Liverpooli dhe vijon të ngulmojë për ta transferuar 35 vjeçarin në ‘’ Villa Park ‘’ .
Në aspektin e përfitimit Luis Suarez nuk ka vënë asnjë kusht sepse duke qenë se i mbetet edhe pak nga rrugëtimi në këtë profesion , prioriteti për ishi-n e Liverpoolit është aktivizimi i vazhdueshëm për të mos humbur asnjë moment dhe të shijojë në maksimum prezencat në fushën e blertë .
Ky vendim vjen edhe nga një lloj besimi në vetvete duke iu referuar edhe kurrikulumit të pasur me ekipe si Ajax Amsterdami, Liverpooli, Barcelona dhe tashmë Atletico Madridi dhe mënyra më e mirë për të demostruar potencialin është vijimi në futbollin më kompetitiv dhe përfaqësimi i Uruguajit në instancat më të larta si në nivel rajonal ashtu edhe në atë global .



