
Partizani ka zyrtarizuar ditën e sotme largimin e trajnerit Ilir Daja.
Nëpërmjet një postimi në faqen e klubit, të kuqtë bëjnë të ditur se pas një takimi mes palëve, është analizuar paraqitja dhe forma e skuadrës dhe më pas u mor vendimi për mbylljen e bashkëpunimit.
“Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Ilir Daja. Në përfundim të vitit kalendarik të aktivitetit sportiv, drejtuesit dhe trajneri Daja kanë zhvilluar një takim në të cilin është diskutuar ecuria dhe performanca e skuadrës.
Në përfundim palët kanë vendosur të ndahen miqësisht dhe të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre për pjesën e mbetur të sezonit.
Klubi falënderon trajnerin Ilir Daja për kontributin e dhënë dhe punën e përkushtuar që ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në drejtimin e ekipit të Partizanit, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Partizanit.
Kryeqytetasit tashmë kanë nisur nga puna për të gjetur trajnerin e ri, me alternativat që nuk mungojnë dhe pritet të zyrtarizohet në ditët e ardhshme.



