Korça u kthye këtë fundjavë në qendër të çiklizmit shqiptar, duke pritur Kupën e Shqipërisë, ku morën pjesë rreth 50 sportistë nga ekipe të ndryshme.
Gara u zhvillua në dy kategori, Kadete dhe Elite/U23/Junior, në itinerare që përshkuan disa nga akset kryesore të juglindjes së vendit.
Në kategorinë Kadete, vendin e parë e fitoi Nedion Demiri i ekipit “Skënderbeu”, pas një gare të fortë me konkurrencë të lartë.
Ndërkohë, në kategorinë Elite, fitues u shpall Henri Hysa, i cili siguroi epërsinë në kilometrat e fundit të garës.
Në podium u ngjitën edhe çiklistë të tjerë si Xhasti Pashko dhe Olsian Velia, të cilët vlerësuan bashkëpunimin në ekip dhe nivelin e lartë të garës.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe pjesëmarrja e sportistëve të rinj, çka tregon rritjen e interesit për këtë disiplinë.
Kupa e Shqipërisë në çiklizëm vijon të mbetet një ndër aktivitetet më të rëndësishme sportive në vend, duke nxitur konkurrencën dhe promovuar talentet e reja.



