
Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, ka folur para mediave, në prag të “klasikes” me Tiranën, e cila do të luhet këtë të premte në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Josa deklaroi se Vllaznia ka treguar se mund të marrë rezultat pozitiv ndaj Tiranës dhe të njëjtën gjë do të tentojnë të bëjnë edhe nesër.
Unë dua konsolidimin e skuadrës dhe për të bërë sa më pak gabime çdo ndeshje. Do të hidhemi në fushë ndaj Tiranës me një skuadër solide, futbolli i ka të treja rezultatet. Pavarësisht lëvizjeve, kemi treguar se jemi një skuadër me soliditet, një ekip që di të marrë rezultat, kjo shihet nga kualiteti i lojtarëve edhe nga mënyra e lojës.
E pres me emocione këtë takim. Nuk është problemi si do ta pres unë këtë ndeshje, por futbollistët dhe çfarë objektivash kanë ata për këtë sfidë. Unë këtë duel do ta konsideroja një ndeshje ndaj Tiranës në shtëpinë e tyre, në ‘Selman Stërmasi’, gjë që Vllaznia ka ditur të marrë rezultat edhe herë të tjera. Ndryshimi i stadiumit nuk ka ndonjë problem.
Tekniku i kuqebluve zbuloi gjithashtu, se mungesa e vetme e Vllaznisë ndaj Tiranës, do të jetë ajo e Liridon Latifi.
I vetmi lojtar që do të mungojë, është Latifi, nga i cili po presim përgjigjet e ekzaminimeve mjekësore dhe ndodhet në Kosovë. Ka bërë rezonancë magnetike dje dhe deri ditën e hënë nuk do të dalë në stërvitje. Problemi i tij është hematoma, ku e ka shumë të zhvilluar në zonën e pulpës. Nuk e di sesa do të zgjasë dëmtimi i tij.



