
Tirana përballet me Laçin në transfertë ditën e nesërme, në ndeshjen e vlefshme për javën e 31 në Abissnet Superiore.
Bardhebluve i mjafton një barazim, për të siguruar matematikisht titullin kampion. Në prag të kësaj sfide, para mediave ka folur trajneri i Tiranës, Orges Shehi, i cili ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, ndërsa shtoi se te skuadra e tij nuk ka pasur asnjëherë presion.
Është një kundërshtar i fortë, vendi i dytë në kampionat. Duhet ta vlerësojmë këtë moment, skuadra është stërvitur mirë pas një ndeshje jo pozitive me Kastriotin. Java nuk ka qenë e plotë nga e diela në të premte, kemi qenë më shumë me përgatitje në aspektin psikologjik. Në çdo periudhë të kampionatit ka një ngjeshje të kalendarit, e kemi kaluar edhe me pandeminë.
Nuk është shumë problem se çdo skuadër ka organikën për të bërë rotacion, ne fokusohemi te ndeshja e nesërme para ndeshjes së mesjavës së ardhshme. Gjithnjë kërkojmë të bëjmë më të mirën dhe të jemi dominues, futemi në fushë për të marrë pikët që na duhen.
Nuk kemi pasur asnjëherë presion, edhe atë që kemi pasur kemi ditur ta menaxhojmë. Një autogol në sezonin e kaluar na nxori jashtë Europë me Laçin, por është diçka tjetër në këtë sezon. Ne shkojmë për të bërë më të mirën dhe për të kaluar ndeshjen ndaj Kastriotit.



