
Trajneri i Moldavisë, Serghei Clescenco, foli në konferencë për shtyp, para ndeshjes me Shqipërinë.
Tekniku i moldavëve deklaroi se skuadra e tij është gati për këtë përballje, ndërsa shtoi se kanë marrë mësime nga ndeshje e parë, ku sipas tij meritonin barazimin.
Jemi duke u stërvitur mirë që prej ditës së parë dhe jemi gati për ndeshjen me Shqipërinë. E dimë që është një sfidë e vështirë, pasi jemi përballur me ta edhe në Tiranë, ku humbëm 2-0, por mendoj se meritonim një barazim. Shpresoj që lojtarët të kenë nxjerrë mësimet e duhura dhe të reagojnë siç duhet nesër. Në këto momente nuk mendojmë aspak për Çekinë, pasi më mirë të vdesim në fushë nesër, sesa të lëmë gjithçka për sfidën në Pragë.
Ne nuk mund të ndryshojmë mënyrën tonë të lojës për një ndeshje, ndaj sigurisht që do të provojmë të mbyllim hapësirat dhe të dalim shpejt. Gjithsesi dua të shoh të njëjtin shpirt gare si në ndeshjen ndaj Polonisë, kur përmbysëm gjithçka në pjesën e dytë. Do të kemi edhe përkrahjen e fansave tanë, që kanë treguar se janë gjithmonë aty dhe bëhen një lojtar i 12 për ne.



