
Peshëngritësi Erkand Qerimaj dhe atleti Izmir Smajlaj, nuk arritën të sigurojnë dot medalje për Shqipërinë, në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Qerimaj nuk ia doli të shkojë më shumë se vendi i 9 në dygarësh, me 338 kg të ngritura. Shkodrani garoi në baterinë B në peshën deri në 81 kilogram dhe e mbylli në krye me 338 kilogram të ngritura në dygarësh, por pas përfundimit të garës edhe në baterinë A, peshëngritësi zbriti në vendin e 9 të renditjes së përgjithshme, shumë larg zonës së medaljes.
Izmir Smajlaj, i cili konkurroi në baterinë A në kërcim së gjati, nuk ia doli dot të sigurojë kualifikimin për në finale. Ai kërceu 7.81 metra në provën e parë dhe 7.86 metra në të dytën, ndërsa në tentativën e tretë bëri faull. Kështu Smajlaj e mbylli konkurrimin e tij në vendin e nëntë në baterinë A, ndërsa në renditjen e përgjithshme zuri vendin e 17-të.



