Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur para mediave, në prag të sfidës së kthimit në turin e parë të Champions League, ndaj Dudelange në “Air Albania”.
Shehi deklaroi se ka besim te skuadra, se mund t’ia dalin të kualifikohen për më tej, pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë.
Tekniku i bardhebluve, u shpreh se për humbjen ndikuan disa faktorë, ku përmend edhe stadiumin e vogël, për të cilin tha se nuk kishte parë kurrë të tillë.
Kemi besim te forcat tona dhe performanca e grupit. Ka shumë faktorë që ndikuan që paraqitja e ndeshjes së parë nuk ishte pozitive, por kemi besim se nesër do të kryejmë një ndeshje shumë herë më të mirë.
Klubi ka qenë gjithmonë mbështetës i skuadrës, edhe në ndeshjet e kampionatit. Kjo mbështetje financiare nuk mungon, e kemi suportin financiar të klubit, presidenca e ka shprehur, por unë përqendrohem tek aspekti sportiv.
Çdo fushë ku luajmë ne, skuadra ka avantazhin e vet, edhe për shkak të përmasave. Hera e parë që e pashë atë lloj stadiumi, me ato përmasa. Flas me aq eksperiencë sa kam unë.
Nesër luajmë në fushën tonë, ai shtet me potencial të madh ekonomik nuk ka një stadium si i yni. Shpresoj të shfrytëzojmë faktin që do luajmë në fushën tonë.
Shqetësimet për ndeshjen janë të mëdha. Duhet të kuptosh se çfarë ndodh që të reagosh. Shqetësimet i them përpara skuadrës, nuk i tregoj këtu. Jemi të qartë dhe të vetëdijshëm se çfarë duhet të bëjmë nesër.
Është e vërtetë që ne luajtëm ngadalë dhe lejuam kundërshtarin të luante shpejt. Këtë ndeshje të tregojmë që kundërshtari është i fortë, ose të jemi skuadër tjetër dhe ta bëjmë kundërshtarin që duket shumë i vogël.
Ana psikologjike ndikon te lojtarët dhe personat që janë ballë për ballë. Fjalët ndikojnë, por unë mendoj se ne duhet ta marrim me durim dhe qetësi ndeshjen nesër. Ndeshja mbaron për 90 minuta, ndoshta edhe më shumë. Duhet të kemi durim.
Lojtarët duhet të shijojnë ambientin dhe kompeticionin, duke vrapuar, duke luftuar dhe duke fituar duele. Të jemi seriozë përpara ndeshjes, të qeshim pas ndeshjes.
Në këtë klub nuk ka nevojë për ftesa për tifozët. Ata kanë qenë të mrekullueshëm, kanë qenë gjithmonë prezent. Ky klub nuk do ekzistonte pa praninë e tyre, jam i sigurt që do të jenë të shumtë në stadium. Të bëjmë maksimumin tonë edhe për tifozët.
Personalisht nuk preferoj të merrem me lojtarë të veçantë. Seferi është lojtar me eksperiencë, besoj se eksperienca dhe cilësia e tij do na shërbejnë nesër. Rëndësi ka që një lojtar cilësor të mos vijë poshtë 80% në një ndeshje futbolli.



