Gazetari i sportit, Tami Kona, në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka komentuar ecurinë e skuadrave në Abissnet Superiore, deri në këtë fazë. Sipas Konës, ndryshimi i trajnerit te Laçi ishte i nevojshëm, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për Egnatian, që hoqi Gugash Maganin. Për Dinamon, Kona tha se nuk ka arritur ta tregojë fytyrën e saj, ndërsa për Tiranën tha se sulmuesi Ngo është vetëm për numër dhe i duhen përforcime në sulm.
“Pas dy rezultateve të fundit, kemi arritur në një konkluzion, ku nuk e dimë cila skuadër është në formë dhe kush janë pretendentët. Më pëlqen Shkëmbi kur thotë se morën një fitore shumë të vështirë, vlerëson vendin e fundit të kampionatit. Tha se do të luajnë ndaj Laçit që është skuadra më e mirë e kampionatit.
Dinamo është një emblemë e kampionatit shqiptar dhe akoma nuk ka arritur të tregojë fytyrën e saj. Do thoja se është një skuadër, që nuk e di pse fiket në 30 minutat e fundit. Anën fizike nuk e ka armën e saj kryesore. Ndeshja në Laç, është një sfidë që mund t’i ketë brenda të 3 rezultatet. Tani që ka shkuar Josa, deri diku fitorja anon më shumë nga Laçi.
Kur Halili është pyetur për merkaton, ka thënë se Tirana ka nevojë. Për mendimin tim, kanë nevojë për përforcime në sulm. Për mua Ngo është sa për numër në fushë. Në vitin kur dolën kampionë, edhe kur nuk shënonte, tërhiqte dy mbrojtës. Këtë sezon më shumë ka shkelur topin dhe ka luajtur.
Kukësin nuk e kisha menduar kështu, është larg pritshmërive. Në krahasim me sezonin e kaluar, vetëm Kukësi dhe Tirana i kanë pikët, të tjerave u mungojnë. Longo ka meritat 100%, për këtë që po bëjnë verilindorët. Ka bërë mirë, sepse e mori ekipin që në fillim.
Teuta ka shumë probleme, nga mbrojtja në sulm. I mungojnë golat e Bregut. Ka ikur edhe Krasniqi, i cili nuk shënoi, por ishte një sulmues i rëndësishëm. Do shikojmë edhe një trajner të ri, si Arapi. Uroj që në një ndeshje si me Vllazninë, të ketë premierë pozitive.
Laçi futbollistët i ka. Bëri me trajnerin malazez, nuk mund të themi se Josa ka shkopin magjik, por një trajner shqiptar e njeh më mirë kampionatin. Trajnerët shqiptarë e njohin mentalitetin dhe e dinë si është situata.
Në momentin që Partizani fitoi me Kastriotin, të gjithë menduan se do të ishte një pikë kthese, por gjërat nuk shkojnë ashtu siç i mendon Partizani. Kampionati shqiptar nuk ka ndeshje shumë të lehta. Me Skënderbeun në letër dukjet e lehtë, por në fushë është e kundërta. Partizani në 5-6 vitet e fundit, e ka humbur gjithmonë kampionatin me ekipet e vogla.
Asnjë skuadër nuk është në performancën më të mirë, që të thuash se këto skuadra dallojnë nga të tjerat. Në fund pikët të nxjerrin kampion.
Magani e rindërtoi Egnatian nga fillimi, doli kampion në Kategorinë e Parë. Nuk arrij ta kuptoj se çfarë kërkojnë drejtuesit e Egnatias. E kuptoj mentalitetin e drejtuesve të Egnatias, me organizim shumë të mirë. Ajo që nuk më pëlqen te drejtuesit, nuk e di kush e merr vendimin dhe ia sugjeron presidentin shkarkimin e trajnerit. Imagjino janë vetëm 1 pikë pas Partizanit, që ka bërë investime të mëdha. Një humbje me Tiranën, do e fuste ekipin në një krizë të madhe. Kjo ndeshje është e bukur, sepse do të jetë përballë Tirana kryesuese, por me problemet e saj. Një nga goditjet e duhura te Tirana është marrja e Xhixhës.”, u shpreh Kona.



